Gjatë mbrëmjes është zhvilluar protesta e 64-të radhazi përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar. Nga foltorja e këtij tubimi, aktivisti Ilir Xhemalaj ka ngritur një sërë akuzash të ashpra që lidhen me politikën e jashtme të qeverisë shqiptare, si dhe me atë që ai e cilësoi si projekte korruptive brenda vendit.
Kritika për marrëdhëniet me Serbinë
Në fjalën e tij, Xhemalaj u ndal në mënyrë të veçantë te qëndrimet e Ministrisë së Jashtme lidhur me konsullatën serbe në Shkodër. Ai theksoi se nuk mund të ketë marrëdhënie normale pa një kërkesë zyrtare për falje nga pala serbe për krimet e së shkuarës. “Sot ministri i jashtëm doli e u përpoq të shpjegonte reciprocitetin për konsullatën serbe në Shkodër. Duam t’u përsërisim: nuk pranojmë shenja reciprociteti me serbët! Ne kërkojmë që Vuçiç të dalë të kërkojë falje për gjenocidin mbi shqiptarët! Të kërkojë falje për shprehjen e tij që për çdo serb do të vrasë 100 shqiptarë, të kërkojë falje për deklaratat e ministres së tij për gjenocid mbi shqiptarët. Të kërkojë falje për spastrimin etnik dhe të kthejë eshtrat e shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së Kosovës!” deklaroi aktivisti.
Denoncimet për Portin e Durrësit dhe minatorët
Më tej, aktivisti solli në vëmendje rastin e arrestimit në Francë të Ermal Beqirajt, të cilit sipas raportimeve i janë sekuestruar disa pasuri, përfshirë edhe një kështjellë. Duke bërë një kontrast të fortë social, ai krahasoi jetën e luksit të personave të dyshuar për abuzime me fondet publike, me kushtet e vështira të punëtorëve në Shqipëri. “Ndërkohë që jemi në shesh, ne vidhemi. Një hajdut me çizme kishte blerë kështjellë në Francë, aeroplanë, makina luksi me lekët e pensionistëve, me lekët e jetimëve! Ku është shteti? Si ka mundësi ikin këta hajdutë nga Shqipëria e bëjnë jetë luksi dhe nuk u hyn gjemb në këmbë, ndërkohë që minatorët vdesin nëpër galeritë e vdekjes në Bulqizë për 700 mijë lekë të vjetra?” u shpreh Xhemalaj.
Në përfundim të fjalës së tij, ai denoncoi edhe situatën me projektin e Marinës së Durrësit, duke ngritur pikëpyetje mbi fatin e infrastrukturës portuale të vendit. “Si ka mundësi ndërkohë një projekt tjetër korruptiv si ai i Marinës së Durrësit, ku na investoi princi Alabbar, na doli sot e na tha që ka bërë gabim që ka investuar aty, ndërkohë që porti u zhduk?! Hyrja kryesore e Shqipërisë u zhduk, nuk kemi më një port! Çfarë do të bëjmë, do t’i lëmë të vjedhin akoma? Do t’i lëmë antishqiptarët në pushtet akoma? Ne gjithmonë këtu do të kërkojmë një gjë: dorëheqje”, përfundoi ai.
Foto: BalkanWeb


