Klubi i Paris Saint-Germain ka të garantuara plot 63.970 milionë euro nga fondi i shpërblimeve të UEFA-s pa zhvilluar ende asnjë ndeshje në kompeticionet europiane për këtë sezon, një shifër kjo që tejkalon fitimet e përbashkëta të 75 klubeve të eliminuara në fazat kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Sipas të dhënave të publikuara, 75 klube nga 35 vende të ndryshme, të cilat e kanë mbyllur rrugëtimin e tyre në raundin e parë dhe të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, kanë përfituar së bashku 40.635 milionë euro. Ky dallim financiar thekson hendekun e madh që vazhdon të ekzistojë mes gjigantëve të futbollit europian dhe klubeve më të vogla.
Përfitimet e klubeve shqiptare nga UEFA
Në këtë ndarje të fondeve bëjnë pjesë edhe ekipet shqiptare që morën pjesë në garat europiane. Skuadrat si Elbasani dhe Vllaznia, të cilat u eliminuan që në raundin e parë kualifikues, kanë përfituar nga 325 mijë euro secila për pjesëmarrjen e tyre.
Skema e shpërblimeve në Ligën e Konferencës
Shpërblimet financiare për klubet që eliminohen në fazat kualifikuese të Ligës së Konferencës janë të ndara në katër kategori specifike. Skuadrat që kanë kaluar dy raunde kualifikuese dhe kanë përfituar edhe bonusin si kampionë të vendit arkëtojnë 960 mijë euro. Për klubet që kanë marrë pjesë në dy raunde kualifikuese, shpërblimi është 700 mijë euro.
Ndërkohë, për skuadrat që e nisën garën direkt nga raundi i dytë kualifikues dhe u eliminuan, fondi i garantuar është 525 mijë euro. Kategoria e fundit përfshin klubet e eliminuara që në raundin e parë, të cilat përfitojnë 325 mijë euro nga institucioni i futbollit europian.
Foto: Top Channel


