Banorët e Maliqit kanë zhvilluar këtë të diel një protestë kundër propozimit të Partisë Socialiste për hartën e re territoriale, i cili parashikon shkrirjen e kësaj njësie vendore dhe kalimin e saj nën administrimin e bashkisë së Korçës.
Jurgen Isufllari, një punonjës i bashkisë së Maliqit dhe nismëtar i tubimit, ka shprehur zhgënjim ndaj kolegëve të tij të administratës për mosreagim në mbrojtje të të drejtave të tyre. “Duhet t’i themi disa gjëra hapur. Kam bër thirrje për protestë sepse kam kuptuar që diçka e pisët po luhet për këtë qytet”, deklaroi ai para të pranishmëve.
Duke theksuar pasojat ekonomike dhe sociale të këtij vendimi, Isufllari kërkoi transparencë mbi personat që kanë mbështetur këtë nismë. “Dua të di cila është ajo dorë që ka firmosur shkrirjen e këtij qyteti dhe jo kësaj godine. Këtu nuk do të ketë më asnjë kafene, asnjë furrë buke. Jemi bashki me 31 000 banorë. Nuk kemi pse të bashkohemi me Korçën. Jam shumë i zhgënjyer me administratën, ndihem i tradhtuar nga gjithë kolegët, por unë do të luftojë për ata dhe kur të jem këtu do të kaloj me kokën lart”, u shpreh ai.
Qëndrimi i opozitës dhe shqetësimet e qytetarëve
Pjesëtarë të opozitës në këshillin bashkiak të Maliqit kanë deklaruar se nuk do ta miratojnë shkrirjen e institucionit dhe kanë bërë gati një thirrje për mbledhje emergjente. Gjatë tubimit, qytetarët kanë ngritur shqetësime për vështirësitë praktike që do të sjellë ky ndryshim administrativ.
Një prej banorëve theksoi se për të marrë një leje për të ndërtuar një kotec pulash, qytetarëve do t’u duhet të përshkojnë 65 km rrugë drejt bashkisë së Korçës. Ndërkohë, një tjetër protestues ka akuzuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se ai ka tradhtuar të gjithë socialistët me këtë lëvizje.
Sipas të dhënave, bashkia e Maliqit përfshin mbi 60 fshatra dhe numëron rreth 30 mijë banorë, duke u renditur si bashkia e 17-të në vend për nga madhësia e popullsisë.
Foto: A2 CNN


