Qeveria ka miratuar një projektvendim të rëndësishëm, duke i dhënë Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) të drejtën për të zhvilluar kompleksin sportiv “Skënderbeu” në Korçë, si edhe zonën urbane përreth tij.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave hap rrugën për realizimin e projektit “Rijetëzimi i kompleksit sportiv Skënderbeu, Korçë, stadiumit dhe zonës urbane përreth”, i cili synon ta kthejë këtë zonë në një hapësirë moderne, të integruar sportive, rekreative dhe urbane.

Sipas vendimit:
KISH autorizohet të veprojë si zhvillues i pronave shtetërore të përcaktuara në dokumentacionin zyrtar, bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak Korçë, të datës 31 gusht 2023;
Të nisë procedurat konkurruese për zgjedhjen e një partneri privat përmes modelit të sipërmarrjes;
Të negociojë kontrata me subjekte private për realizimin e projektit;
Të bashkëpunojë me institucione shtetërore si Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Bashkia Korçë dhe Federata Shqiptare e Futbollit për ndërtimin, legalizimin apo regjistrimin e pronave të reja;
Të kryejë prishjen e ndërtesave ekzistuese në zonën e projektit, në përputhje me planin e zhvillimit urban dhe sportiv.

Brenda 30 ditësh pritet të nënshkruhen marrëveshjet e bashkëpunimit mes KISH dhe institucioneve përkatëse, për të përcaktuar standardet, metodologjinë dhe kushtet e zhvillimit.

Ndërkohë, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohet vendimi i mëparshëm nr. 568, datë 04.10.2023, që i ngarkonte Fondit Shqiptar të Zhvillimit rolin e autoritetit kontraktor për realizimin e këtij projekti. Tashmë, KISH merr zyrtarisht rolin e zhvilluesit dhe negociatorit kryesor.

Ky projekt shihet si një ndër më ambiciozët për qytetin e Korçës, me synimin jo vetëm për të modernizuar infrastrukturën sportive, por edhe për të transformuar urbanistikisht zonën përreth stadiumit “Skënderbeu”, duke e kthyer atë në një model të ri bashkëjetese mes sportit dhe zhvillimit ekonomik.


