Rasti i parë i PPR-së (Peste des Petits Ruminants), i njohur si murtaja e deleve dhe dhive, është konfirmuar në fshatin Shkozë, në Njësinë Administrative Moglicë të Bashkisë Maliq. Sipas shërbimit veterinar, virusi është identifikuar pas analizave laboratorike që konfirmuan praninë e tij në një tufë të infektuar.
Për shkak të terrenit të thyer malor, ku nuk është i mundur transporti me mjete të rënda, po kryhet groposja e 190 krerëve të asgjesuar në një zonë të kontrolluar, ndërsa 20 të tjerë kanë ngordhur përpara ndërhyrjes.
Dyshohet se burimi i përhapjes së virusit ka qenë blerja e disa dhive të reja nga një zonë tjetër nga ana e pronarit të tufës. Pas këtij rasti, autoritetet kanë zgjeruar zonën e kontrollit deri në një rreze prej 10 km, ndërkohë që janë pezulluar lëvizjet e tufave me bagëti për të frenuar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Në Shkozë ka mbërritur edhe kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, i cili theksoi se është ngritur një task-forcë në mbështetje të shërbimit veterinar, ndërkohë që po bashkëpunohet me Ministrinë e Bujqësisë për të identifikuar mënyrat më të mira të kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve të prekur.
Aktualisht, nuk raportohet për raste të tjera të PPR-së në fshatin Shkozë, i cili ka një numër të madh tufash me dele, ndërsa autoritetet u bëjnë apel të gjithë fermerëve për ndalimin e menjëhershëm të lëvizjes së bagëtive dhe zbatimin rigoroz të masave të kontrollit.


