Shkolla 9-vjeçare “Sotir Gurra”, një nga institucionet arsimore më të vjetra të qytetit të Korçës, po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë që synon të ofrojë kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit. Nga ky proces, 640 nxënës dhe 47 mësues do të zhvillojnë mësimin në ambiente të rikonstruktuara, të përmirësuara dhe të pajisura me të gjitha facilitetet moderne.
Projekti i rikonstruksionit përfshin të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës. Klasat dhe laboratorët po modernizohen, ndërsa hapësirat për stafin dhe palestra sportive po përshtaten sipas standardeve bashkëkohore. Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies dhe të krijojë kushte optimale për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe sportive.
Sipas autoriteteve lokale, rikonstruksioni i shkollës “Sotir Gurra” është pjesë e një programi më të gjerë të Bashkisë Korçë për modernizimin e institucioneve arsimore, që synon të rrisë cilësinë e arsimit dhe të krijojë ambientet e nevojshme për një mësim më efektiv dhe të sigurt për nxënësit.


