Më shumë se 2,500 fermerë në Bashkinë e Devollit kanë aplikuar këtë vit për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi, një rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë në këtë bashki, shumica dërmuese e aplikimeve kanë të bëjnë me përfitimin e naftës pa pagesë, ndërsa një pjesë më e vogël përfshin sektorë të tjerë si gjedhët, të imtat dhe bletaria.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë së Devollit, Ylver Bylykbashi, bëri të ditur se pas përmbylljes së procesit të aplikimeve, do të nisë faza e verifikimit të dokumentacionit për të siguruar përmbushjen e kritereve nga aplikantët.
Sipas tij kjo skemë mbetet një mjet i rëndësishëm në ndihmë të fermerëve, duke ndihmuar në uljen e kostove të prodhimit dhe përmirësimin e rendimentit bujqësor. Mbështetja përmes skemave të tilla është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në zonat rurale.


