Kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Fatjon Hoxhalli, ka deklaruar se institucioni publik po hyn në një fazë të re transformimi në bashkëpunim të ngushtë me Unionin Europian të Transmetuesve (EBU).
“Në këtë rrugëtim transformues me EBU-në, ku RTSH bën pjesë si anëtare, po punojmë për një model të ri strategjik që do të shoqërohet me një plan veprimi të strukturuar dhe të mbështetur në ekspertizën më të mirë ndërkombëtare,” u shpreh Hoxhalli, duke shtuar se misioni i parë i ekspertëve të EBU-së pritet të mbërrijë në Tiranë brenda muajit nëntor.
Një nga elementët kryesorë të reformës është hartimi i një modeli të ri të financimit të RTSH-së, i cili do të shqyrtojë mundësi si indeksimi ose rimodelimi i tarifës së aparatit televiziv.
“Një element i rëndësishëm është konceptimi i një modeli të ri të financimit të RTSH-së, që shqyrton opsione si indeksimi ose rimodelimi i tarifës së aparatit televiziv, e cila është e pandryshuar që nga viti 2011, rishikimi i vlerës së agjentit që mbledh tarifën, si dhe gjetja e formave të tjera të financimit”, tha Hoxhalli.
Sipas Hoxhallit, reforma do të prekë edhe shtrirjen e njësive territoriale dhe strukturën e brendshme të institucionit, duke synuar një ristrukturim të numrit të punonjësve dhe të fluksit të punës, për t’i bërë ata më mirë të paguar, më fleksibël dhe më pak burokratë, në përputhje me nevojat moderne të transmetimit publik.
Një pjesë tjetër e procesit do të jetë rihartimi i portofolit programor, me qëllim racionalizimin e numrit të kanaleve, integrimin më të mirë të televizionit me radion dhe platformën online.
“Reforma do të prekë shtrirjen e njësive territoriale dhe strukturën e brendshme të RTSH-së, çka nënkupton rishikimin e numrit të punonjësve dhe fluksit të punës, duke i bërë ata më mirë të paguar, më fleksibël, më pak burokraci dhe më të përshtatur me nevojat e kohës.
Do të ketë gjithashtu rihartim të portofolit programor, duke racionalizuar numrin e kanaleve, integruar më mirë televizionin me radion dhe platformën online, dhe krijuar një produkt mediatik të unifikuar në dobi të qytetarëve”, tha ai. /rtsh.al


