Institucionet arsimore në Korçë janë gati për nisjen e vitit të ri shkollor 2025. Gjatë verës janë kryer punime të shumta në shkolla, kopshte dhe çerdhe, me synim krijimin e ambienteve të sigurta, të rehatshme dhe më funksionale për fëmijët.
Punimet kanë përfshirë lyerjen dhe riparimin e klasave dhe ambienteve të jashtme, përmirësime infrastrukturore për një mjedis më të pastër dhe më të sigurt, si dhe ndërhyrje më të thelluara në disa institucione, ku janë rikonstruktuar çatitë dhe është përmirësuar sistemi i ujit dhe kanalizimeve.
Qëllimi kryesor është që çdo nxënës dhe fëmijë të ndjejë siguri dhe rehati në hapësirat ku mëson dhe zhvillohet. Në këtë proces është vlerësuar edhe bashkëpunimi i komunitetit dhe prindërve, si një faktor i rëndësishëm për suksesin e këtij misioni.


