Prefektura e Qarkut Korçë bën me dije se reshjet e dendura të natës dhe orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar disa problematika në territor, ndërsa ekipet e emergjencave dhe strukturat përkatëse vazhdojnë të punojnë në terren për normalizimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve.
Në Bashkinë Korçë, prezenca e ujit në bodrumin dhe arkivën e Prokurorisë ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme gjatë natës. Falë punës së ekipeve, uji është thithur dhe dokumentacioni është ruajtur, ndërsa gjendja tashmë paraqitet e stabilizuar.
Ndërkohë, në territorin e Bashkisë Maliq reshjet kanë sjellë problematika më të theksuara. Në Bllokun 3 të qytetit është konstatuar një masë elektrike dhe dyshohet mungesë energjie në një pjesë të zonës. Për shkak të prezencës së ujit, OSHEE ka ndërprerë furnizimin për arsye sigurie, ndërsa po punohet për largimin e ujit dhe rikthimin e energjisë. Në fshatin Sovjan, shërbimet e MZSH kanë evakuuar banorët, gjënë e gjallë dhe kosheret e bletëve, dhe raportojnë se situata po shkon drejt normalizimit. Në Leshnjë është njoftuar për bagëti të mbytura, ndërsa në zonën përballë fshatit Vlocisht uji ka hyrë në oborre banesash, ku ndërhyrjet vijojnë. Po ashtu, lumi Dunavec është çarë në dy pika duke përmbytur tokat bujqësore, dhe një mjet ndërhyrës po vjen nga Pogradeci për të ndihmuar në riparimin e dëmit.
Në Bashkinë Pustec është identifikuar rrezik daljeje të përroit në segmentin rrugor Doganë–Goricë e Vogël. Strukturat përgjegjëse po e monitorojnë zonën, ndërsa në aksin Zvezdë–Goricë reshjet kanë sjellë inerte në rrugë. Kontraktori i mirëmbajtjes ndodhet në terren dhe po kryen pastrimin.
Në Bashkinë Devoll, reshjet e shumta të natës kanë rënduar situatën në fshatin Progër, ndërsa problematika janë evidentuar edhe në Mancurisht. Në Dobranj kërkohet ndërhyrje urgjente për devijimin e përroit, pasi uji ka përmbytur tokat bujqësore. Në aksin rrugor Miras–Arrëz janë regjistruar shkarje dheu dhe rënie gurësh, dhe punonjësit po shkojnë për të verifikuar nga afër situatën. Në Poloskë është përmbytur një banesë, ku gjatë natës është vendosur një pompë për largimin e ujit. Gjithashtu, në fshatin Qytezë është raportuar shkarje dheu.
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat e prekura. Prefektura e Qarkut Korçë koordinon veprimet me të gjitha institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e pronave.


