Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar problematika të përkohshme në disa zona të Qarkut Korçë, ku strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave janë angazhuar në terren për normalizimin e situatës. Aktualisht, nuk raportohen rreziqe për banorët apo banesat.
Në Bashkinë Korçë, kalueshmëria e aksit Denas–Lekas u vështirësua nga niveli i lartë i ujit, por situata po stabilizohet pas ndërhyrjeve. Edhe në Voskopojë dhe fshatin Lubonjë janë kryer punime emergjente për të shmangur përmbytjet dhe për të siguruar rrugë alternative.
Në Pogradec, në fshatin Gështenjas pati ngarkesë nga rrjedhjet, por ndërhyrja në kohë shmangu problematikat. Në Maliq, vijon monitorimi në pikën ku bashkohen lumenjtë Dunavec dhe Devoll, për shkak të rritjes së prurjeve.
Në Devoll, ura në segmentin Çetë–Miras është dëmtuar dhe është pezulluar qarkullimi për shkak të rrezikshmërisë; do të kërkohet mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes. Ura e Arrëzës është dëmtuar gjithashtu, por fshati ka akses nga rrugë dytësore. Në Ziçisht ka nisur pastrimi i inerteve.
Në Pustec, segmenti Lajthizë–Liqenas është drejt normalizimit pas ndërhyrjes së strukturave. Ndërsa në Kolonjë, janë raportuar prurje të larta të lumenjve në Mesiçkë dhe probleme kalueshmërie në Mollas e Shelegur, por pas ndërhyrjeve situata është stabilizuar. Rezervuari i Rotit ka qenë në prag të nivelit maksimal, por është menaxhuar me hapjen e shkarkuesve.
Sipas ARRSH, akset kryesore rrugore në qark paraqiten të kalueshme dhe ndërhyrjet po vijojnë. Ndërkohë, OSHEE raporton 148 abonentë pa energji elektrike në disa zona të Korçës, Kolonjës, Mollasit dhe Vithkuqit, dhe ekipet janë në punë për rikthimin e furnizimit.
Strukturat vendore kanë nisur punën për rehabilitimin e zonave të prekura dhe vijojnë monitorimin e situatës meteorologjike. Deri tani nuk raportohen ngjarje që përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.


