Ekipi i volejbollit për femra i Skënderbeut ka nisur përgatitjet për sezonin e ri me synime të qarta për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe të qëndrueshme. Në këtë fazë tranzicioni, klubi është i fokusuar në afrimin e lojtareve cilësore, duke kërkuar emra shqiptarë si në kampionatin vendas, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Trajneri Olsi Haxhillari konfirmon se janë në bisedime të avancuara me disa prej volejbollisteve më të njohura shqiptare:
“Jo vetëm që kemi komunikuar me disa lojtare të spikatura, por me dy prej tyre jemi në fazën përfundimtare të marrëveshjes. Objektivi është i qartë: të ndërtojmë një ekip të fortë dhe konkurrues,” – u shpreh ai.
Edhe pse nga skuadra janë larguar shtatë lojtare, përfshirë emra titullarë dhe të stolit, Haxhillari mbetet optimist për të ardhmen:
“Jemi në një moment të rëndësishëm ndryshimi, por kjo nuk na ndalon të synojmë vendet e para. Skënderbeu do të jetë aty ku i takon, në krye të renditjes.”
Me një strategji të re dhe një fokus të veçantë te cilësia, dëshira për sukses dhe ndërtimi i një projekti afatgjatë, Skënderbeu po investon te talente të rinj dhe përforcime me eksperiencë, që do të japin më shumë energji dhe identitet skuadrës.
“Skënderbeu është historia e volejbollit shqiptar,” – e mbylli Haxhillari.


