Skënderbeu ka zyrtarizuar afrimin e Salim Abubakar, duke bërë realitet një merkato që ishte përfolur prej disa javësh. Futbollisti 22-vjeçar nga Nigeria, i cili mund të luajë si mesfushor mbrojtës, qendërmbrojtës ose në krahun e majtë të mbrojtjes, vjen nga klubi italian Sassuolo dhe shihet si një shtesë me peshë për repartin difensiv të ekipit korçar.
I lindur më 7 prill 2003, Abubakar është rritur si lojtar në Itali, duke iu bashkuar Sassuolos në moshën 17-vjeçare. Fillimisht ka qenë pjesë e skuadrës U-20, ndërsa ka provuar edhe një eksperiencë me Pergolettese në formë huazimi. Sezonin e fundit ka qenë pjesë e Sassuolos përpara se të zgjidhte aventurën e tij të re në Korçë.
Aftësia për të mbuluar disa pozicione e bën Abubakar një lojtar shumë të vlefshëm për Skënderbeun. Ai vlerësohet për inteligjencën taktike, fuqinë fizike dhe qetësinë që shfaq në ndërtimin e aksioneve nga zona mbrojtëse.
Ky afrimi i ri dëshmon ambicien e Skënderbeut për të krijuar një skuadër solide dhe të organizuar, me synimin për t’u rikthyer fuqishëm në elitën e futbollit shqiptar.


