Skënderbeu ka startuar zyrtarisht fazën përgatitore, me synimin e rikthimit në Superligën shqiptare. Aktualisht, skuadra është në proces ndërtimi, ndërsa trajneri Ernest Gjoka po stërvit grupin ekzistues, në pritje të përforcimeve të reja dhe lojtarëve që ende nuk i janë bashkuar ekipit, pavarësisht kontratës në fuqi.
Gjoka është shprehur i kënaqur me impenjimin dhe cilësitë e 3-4 futbollistëve të rinj të promovuar nga ekipi i të rinjve, të cilët po lënë përshtypje pozitive në stërvitjet e para. Sidoqoftë, pritet që në ditët e ardhshme të ketë lëvizje në merkato, pasi Skënderbeu synon të plotësojë disa pozicione kyçe në formacion.
Ndeshja e parë miqësore është planifikuar për fundjavën, kundër Pogradecit, sfidë që do të shërbejë për të testuar gjendjen fizike të lojtarëve dhe për të parë alternativat në prag të sezonit të ri.


