Skuadra e Skënderbeut vijon të jetë shumë aktive në këtë merkato vere, mes afrimeve të reja, mungesave dhe lëvizjeve të brendshme që po trazojnë ambientin në klubin korçar.
Lajmi më i fundit vjen nga mbrojtja, ku Luko Vaskuez, qendërmbrojtësi kolumbian, pritet të mbërrijë në Korçë brenda 2-3 ditësh. Vonesa e tij, megjithatë, nuk ka kaluar pa pasoja – lojtari është gjobitur nga klubi për shkelje të rregullores, pasi ai ishte planifikuar të bashkohej me skuadrën që në 25 qershor, në startin e fazës përgatitore.
Në anën tjetër, situata mbetet e paqartë për Marko Ramos dhe Juri Merlim. Të dy lojtarët nuk janë paraqitur ende në grumbullim dhe, pavarësisht se janë nën kontratë me Skënderbeun, nuk kanë shfaqur dëshirë për të luajtur në Kategorinë e Parë. Për këtë arsye, ata gjithashtu janë gjobitur nga klubi, ndërsa ardhja e tyre mbetet në pikëpyetje.
Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit janë në negociata të avancuara për dy afrime të rëndësishme: një mbrojtës dhe një sulmues krahu, që do të zëvendësojë largimin e Ardit Nikajt. Emrat për momentin nuk bëhen të ditur, por burime pranë klubit bëjnë me dije se pritet që të jenë në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka brenda javës së ardhshme.
Pavarësisht sfidave, merkatoja e Skënderbeut mbetet “e zjarrtë”, me lëvizje të shumta në të dy drejtimet dhe me ambicien për të ndërtuar një skuadër konkurruese që të rikthehet aty ku i takon – në elitën e futbollit shqiptar.


