Klubi i Volejbollit për Femra Skënderbeu po punon intensivisht për të ndërtuar një skuadër konkurruese për sezonin e ri, duke synuar jo vetëm titullin kampion, por edhe fitimin e trofeve të tjerë në arenën kombëtare. Burime zyrtare pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit janë pranë finalizimit të marrëveshjeve me katër lojtare të huaja, të cilat konsiderohen të një niveli të lartë dhe me potencial për të bërë diferencën në fushën e lojës.
Sipas të njëjtit burim, këto përforcime janë pjesë e një strategjie ambicioze të ndërtuar në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës, e cila ka kërkuar nga trajneri Olsi Haxhillari që të kompletojë sa më shpejt grupin e lojtareve. Objektivi është i qartë: rikthimi i Skënderbeut në majën e volejbollit shqiptar për femra.
Pritet që këto lojtare të huaja të bashkohen me skuadrën gjatë fazës përgatitore, ndërsa zyrtarizimi i tyre pritet të bëhet në ditët në vijim. Emrat konkretë ende nuk janë bërë publikë, por burimet theksojnë se bëhet fjalë për sportiste me eksperiencë ndërkombëtare dhe cilësi të provuara.
Me këtë lëvizje, Skënderbeu konfirmon synimet e tij serioze për sezonin 2025–2026, duke ndërtuar një skuadër që do të rivalizojë për çdo trofe në dispozicion.


