TË DIELË PARADITE…
DIta qe aq e bukur ,por m’u nxi sapo dola në bulevard. Iu gëzova diellit, ngrohtësisë së fundmarsit ,emocionit të ditës së djelë ndaj vendosa ,do shkoj piknik me gruan ,nipin e mbesën në Vlorë. Do e kalojmë ditën në Lungomaren e bukur e do drekojmë aty buzë dallgëve te restorantet me nam. Kaq fola e fap nxora Jeep-in nga garazhi. Mora drejt shtëpisë dhe aty pranë shkollës “Edith Durham” më zuri syri një të moshuar që kishte përqafuar trungun e një gështenje të egër dhe avash-avash, ashtu si ecja e një krimbi, po rrëshqiste përposhtë. Kur isha bash në krah të tij e pashë që u shtri. I lëshoi duart nga trungu dhe nisi të lëvizte me spazma. Dukej sikur po jepte shpirt. Ndalova e u turra vrap. E kapa nga shpatullat, e ngrita nga toka, e mora hopa me shumë mundim se qe peshë e rëndë. Ai hapi sytë. U gëzova ,është gjallë i thashë vetes e po nxitoja për tek makina. M’u duk zgjatje kohe lajmërimi i një ambulance. Për dhjetë minuta e çoj shpejt e shpejt në urgjencë mendova nga që ishte e dielë e nuk kishte trafik akoma. Qe herët. Sapo e rehatoja te sedilja pas ai lëshoi një pyetje:
-Ku po më çon?
Nuk priti përgjigje se prapë iu var koka mbi gjoks. E shtriva në krejt ndenjësen dhe u trondita jo nga pyetja e tij, por nga zëri. Më dukej zë shumë i njohur. Po s’pata kohë të vrisja mendjen. Hypa dhe ndeza makinën. Sa do fusja marrshin më erdhi sërish:
-Ku po më çon?
Fytyrën nuk ia shihja se ishte i shtrirë e pasqyra nuk e kapte. Por ai zë, ah, ai zë më solli ndër mend Pilo Rakon. Njeriun më të pështirë mbi dhe, më të urryerin mbi glob. Monstrën që më shkaktoi aq e aq halle e probleme. Sigurisht këto epitete qenë për të në raport me mua. Nuk di si sillej me të tjerët. M’u errën sytë. Isha gati ta flakja në rrugë. Ta hiqja nga fuoristrada se më dukej sikur dhe ajo po lyhej me fëlliqësitë e tij. Atë çast për ca sekonda më kaloi jeta si një film xhiruar me shpejtësi.
Pilo Rako qe në fillim mësuesi im kur isha në vitin e fundit të gjimnazit. Kur erdhi ishte shumë i ri. Me ne ndante veç disa vite. Kështu që i shihte me pasion të nxehtë shoqet tona. Por dhe ato e pëlqenin nga që qe goxha djalë. Deri këtu gjithçka okej. Deri sa fati i keq më kapi mua. Ai nisi të gjuante Kozetën, shoqen time. Ishte vajza më e bukur e gjimnazit. Pilo kaq shumë u marros pas saj sa nuk fshihte jo vetëm vështrimet ngacmuese, por dhe veprimet skandaloze. Sa disa herë edhe brenda orës së mësimit gati e kapte me forcë Kozetën duke e afruar drejt trupit të tij me një kërcënim të hapur, ose do lidhesh me mua, ose do të të lidh me ngelësit e klasës. Vajza u trondit si fillim. Më pas u revoltua, iu kundërvu e nga paniku u afrua më shumë me mua. Dukej sikur për të isha mburojë e ajo ndjehej mirë kur më kish në krah. Pilo pandehu se lidhjen me të e pengoja unë. Qe i bindur se Kozeta më donte e nuk më ndërronte me askënd. Në të vërtetë ne ishim thjesht shokë. Kaq. Që prej asaj dite jeta ime u bë sterrë. Jo se merrja nota negative, por se merrja masa disiplinore pa fund. Për çdo gjë që ndodhte faji më ngecte mua. Prishej psh dhe dera e shkollës e më thërriste mua drejtori. Pilo sajonte dëshmitarë e unë veç dënohesha. Deri sa në një aksion më quajtën sabotator nga që bishtat e lopatave të gjitha ishin prerë me sharrë. U bë alarm deri në komitet. U quajta armik i pronës shtetërore. Thërritën babain, ia provuan me thëniet e disa shokëve të mij se isha i tillë. M’u drithërua zemra për atin tim se i mori për të vërteta. Kozeta thuajse u dorëzua. Iu dhimbsa unë e gati po lidhej me Pilon kur na erdhi gjëma. Pilo u emërua drejtor i gjimnazit. Na kapi depresioni. Nuk imagjinonim çfarë do na sajonte. Dhe prisnim të keqen. Ajo më mbërriti mua të parit. Mblodhi Pilo klasën dhe propozoi që unë të përjashtohesha nga shkolla. Nuk e tha motivin. Dhe unë nuk e kërkova. E dinja që ai do e realizonte. Përfytyroja veten në shtëpi kur babai do sëmurej nga dhimbja, kur nëna nuk do rreshte së qari. Ata ëndërronin për mua bardhësi e gjëra plot dritë. E ja ,një Pilo kërma na prishi gjithçka. Në ato ditë mora vendim ta lija vetë shkollën. Më mirë se përjashtimi do të qe. Një mëngjes, sa po çoja një deklaratë me braktisjenne shkollës, mësova se Pilo na la.
-Vdiq, mo? -pyeta i gëzuar.
-Jo, e transferuan në ministri, -më tha mësues Rizai.
Festuam si gjimnaz. Aq shumë u gëzuam sa na dukej se po bënim darkën e maturës që atë ditë. Këto më solli ndër mend ky monstra shtrirë te sedilja e makinës sime.
-Po ku më dole këtë mëngjes të bukur, o plehrë? Po pse ma nxive ditën, o plehrë? Po si nuk u rrëzove në rrugë pas pesë minutash si të kaloja unë, o plehrë?
Vazhdoja me këto pyetje dhe në kokë si çekan më godiste zgjidhja; mos e ço në spital.! Çoje atje ku qe dhe lere te bytha e gështenjës së egër! Gati isha t’i thoja vetes, ashtu do bëj. Pa merak. Nuk e shëroj këtë plehrë, nuk e ndihmoj. Ja, po e fik makinën. Ja, po e nxjerr përjashta. Ja, tani.
Por nuk veproja dot. Asnjë nga këto nuk zbatoja. E dija se ai vlente më pak se një krimb. Duhej shtypur me këmbë. Ashtu siç më shtypi. Deri këtu më ecte arsyetimi. Më tej më ngecte. Mendoja që do e çoja në spital, ai do shërrohej e më pas, kur të më takonte do më sajonte ndonjë shpifje të shpifur. Vërtet tani nuk kishte gjë në dorë, por ama ai nuk hiqte kurrë dorë nga e keqja. Mes këtyre dyzimeve dola nga makina. Pashë në trotuar një mesoburrë.
-A di ta ngasësh makinën? -e pyeta.
-Po, di.
-Mundesh ta na çosh deri në spital mua dhe këtë,(do i thoja xhaxhain,por kafshova gjuhën),këtë të moshuarin që u rrëzua tani këtu te kjo pema? E çoja dhe vetë, po u trondita shumë dhe nuk e ngas dot makinën. Shih si më dridhen duart!
Ai nuk e bëri fjalën dysh. Sa arritëm te urgjenca erdhën disa infermirë me një barelë gri. E morën.
Si e ndihmove ore, pyeta veten? Si? Ai nuk është njeri. E di, e di. Por kam ngelur unë njeri o njeri, i dhashë shpjegim veprimeve të asaj paradite. Dielli po ngrohte e pikniku po më priste. E shkuara nuk blihet, byrazer. As rregullohet, fola sërish me vete dhe më pas u ndjeva i lehtësuar. Shtypa fort gazin. Makina gati po fluturonte. Sikur dhe ajo u çlirua nga Pilo Kërma…