“Teatri lëvizës Gjergj Fishta” vjen në Devoll me shfaqjen “Nëse ti më harron”, një teatër poetik nga autorët më të mëdhenj të poezisë. Rreth 30 poezi të përzgjedhura nxjerrin në pah të gjitha emocionet që përjeton njeriu nën petkun e dashurisë.
Mesazhi që përcillet përmes kësaj shfaqje shkon për femrat dhe meshkujt, që të mos rreshtin kurrë së dashuruari dhe të mësojnë se si të dashurojnë.
Me gërshetimin e poezive më të mira të autorëve botërore, dy aktorët Izabela Doda dhe Xhilberto Gega, sollën doza intrige, dëshire, trishtimi, urrejtje e dashurie me performancat e tyre.
Për Xhilberton, lëvizjet e shfaqjeve teatrale janë shumë të rëndësishme për publikun e rretheve, të cilët duhet të mbështeten dhe njihen me produkte të ndryshme artistike si shfaqjet teatrale, ashtu si ndodhi në Devoll me këtë bashkëpunim.
Aktori tregon detaje sa i përket shfaqjes “Nëse ti më harron”, një teatër poetik me 30 poezi të gërshetuara për të përcjellë tek publiku emocione të një çifti të dashuruarish, dukë dhënë mesazhin për përkushtim dhe vëmendje mes çifteve.
Për aktoren Izabela Doda, pjesëmarrja në Devoll është një eksperiencë e re, ashtu si performanca e saj. Kjo shfaqje tregon se një çift lufton për të nxjerrë të mirat e të këqijat e në fund të jenë bashkë.
Nën interpretimin e dy aktorëve Izabela Doda dhe Xhilberto Gega, shfaqja solli emocione të veçanta duke përcjellë mesazhe reflekti për të vlerësuar më mirë njëri tjetrin. Në një “luftë”, gjithmonë fiton dashuria.