Një sezon thuajse pa trofe që e pati fundit dje me humbjen e finales për titullin kampion, ka bërë që trajneri i ekipit të volejbollit të femrave të Skënderbeut Orlando Koja të dorëhiqet. Pas tre sezonesh në krye të ekipit të parë të volejbollit të femrave të Skënderbeut, trajneri Orlando Koja ka njoftuar vendimin e tij për të ndërprerë bashkëpunimin me klubin.
Nën drejtimin e Kojës, skuadra përjetoi një cikël të jashtëzakonshëm, të shënuar nga arritje të rëndësishme sportive dhe një rritje të vazhdueshme teknike dhe organizative.
Bilanci i titujve të fituar në këto tre vite ka qënë:
•1 Kampionat Kombëtar
•2 Kupa të Shqipërisë
•2 Trofe Liga Gjergj Kastrioti
•1 Kupë Pavarësie
•2 Kupa Federata
Një rrugëtim i mbushur me suksese dhe vlerësime, që ka konsoliduar Skënderbeun si një ndër realitetet më të suksesshme të volejbollit shqiptar në vitet e fundit.
“E përfundoj këtë eksperiencë me krenari dhe mirënjohje. Kanë qenë tre vite intensive, të përjetuara me pasion dhe profesionalizëm. Falënderoj lojtaret, stafin, drejtuesit e Bashkisë Korçë, gjithë punonjësit e Pallatit të sportit dhe mbi të gjitha tifozët e mrekullueshëm korçarë për mbështetjen e madhe dhe besimin e vazhdueshëm,” – u shpreh i emocionuar Orlando Koja.
Trajneri largohet nga klubi me bindjen se ka lënë një gjurmë të rëndësishme, i gatshëm për të përballuar sfida të reja në karrierën e tij profesionale.


