Në ambientet e Universitetit “Fan Noli” në Korçë është zhvilluar workshopi me temë “Vendbanimet e Korçës”, organizuar nga Departamenti i Historisë dhe Gjeografisë. Aktiviteti erdhi në kuadër të projektit studimor që ka përfshirë zonat e Korçës, Bulgarecit, Drenovës dhe Mollajt, me qëllim analizimin e zhvillimeve demografike dhe social-ekonomike në këto njësi administrative.
Dr. Ermiona Braholli, drejtuesja e projektit, theksoi problematika të theksuara si mungesa e tokës për banorët dhe rënia e ndjeshme e popullsisë, çka ka sjellë ndikime të dukshme në jetën sociale dhe ekonomike të banorëve lokalë.

Ndërsa prof. Skënder Aliu, arkeolog i njohur, ndau gjetje të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore dhe monumentet historike të zonës, duke bërë thirrje për mbrojtjen dhe promovimin e tyre si pjesë e pasurisë kombëtare dhe potencial turistik.
Workshopi u shoqërua me diskutime dhe prezantime të detajuara, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme akademike për studentët dhe studiuesit mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit në zonat përreth Korçës.


