Universiteti “Fan S. Noli” ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt akreditimit të plotë të ofertës së tij akademike, me akreditimin zyrtar të 9 programeve të tjera studimi. Vlerësimet pozitive dhe afatgjata të marrë për këto programe janë një dëshmi e standardeve të larta që ky institucion garanton në arsimin e lartë publik në Shqipëri.
Proceset e akreditimit, të zhvilluara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, kanë konfirmuar cilësinë e mësimdhënies, kurrikulave bashkëkohore, stafit akademik të kualifikuar dhe infrastrukturës moderne që ofron Universiteti i Korçës.
“Universiteti ynë mbetet i përkushtuar ndaj një vizioni afatgjatë, ku studenti është në qendër të çdo nisme, dhe cilësia është prioritet i padiskutueshëm,” thuhet në deklaratën zyrtare të institucionit.
Në një kohë kur të rinjtë ndodhen përballë një prej zgjedhjeve më të rëndësishme të jetës – përzgjedhjes së universitetit – UNIKO ofron jo vetëm sigurinë e një diplome të vlefshme dhe të njohur, por edhe garancinë për një formim profesional të përshtatur me kërkesat reale të tregut të punës.
Programe të tilla si Master Profesional në “Menaxhim të Qëndrueshëm në Agroturizëm”, “Drejtim Agrobiznesi”, “Menaxhim i Turizmit, Atraksioneve dhe Eventeve”, apo Bachelor në “Menaxhim në Turizëm dhe Mikpritje” janë ndërtuar mbi analiza të detajuara të zhvillimeve në sektorët kryesorë ekonomikë dhe shërbejnë si ura lidhëse midis arsimit dhe punësimit.
UNIKO ofron sot një portofol të gjerë dhe të certifikuar programesh, përfshirë edhe cikle profesionale, si programi 2-vjeçar për “Teknika të Prodhimit të Farave dhe Fidanëve” apo Masterin e Shkencave në “Kulturë, Media dhe Editim”, duke i dhënë të rinjve mundësi të shumta zhvillimi në fusha të ndryshme.
Universiteti “Fan S. Noli” vazhdon të jetë një nga institucionet lider në arsimin publik shqiptar, duke investuar vazhdimisht në cilësi, ndërkombëtarizim dhe përgatitje të brezit të ri për tregun global të punës.


