Në ambientet e Universitetit “Fan S. Noli” u zhvillua sot një takim ku morën pjesë rektori prof. dr. Lorenc Ekonomi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Niko Peleshi, përfaqësuesi i AADF-së Enrik Keco, kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë Petrika Tollkuçi dhe kryetari i Bashkisë Korçë Sotiraq Filo.
Gjatë takimit u bë e ditur se, në kuadër të bashkëpunimit me fondacionin Albanian-American Development Foundation (AADF), Universiteti Wageningen & Research do të zbatojë për herë të parë në Shqipëri modelimin e sektorit të bujqësisë, një projekt i cili nis nga Korça dhe pritet të ketë ndikim kombëtar.
Universiteti i Korçës njofton se ky projekt shënon një hap të madh për zhvillimin e kërkimit shkencor, përmirësimin e kurrikulave universitare dhe forcimin e kapaciteteve akademike në fushën e bujqësisë, inovacionit dhe zhvillimit rural.
Falë këtij bashkëpunimi, do të vendosen themelet për transformimin eko-bujqësor të qarkut të Korçës, duke krijuar modele të qëndrueshme dhe moderne të zhvillimit bujqësor.


