Gazetari dhe drejtuesi i CNA.al, Elvi Fundo, ka realizuar së fundmi një reportazh të veçantë nga ishulli Ventotene në Itali, një vend me një rëndësi të jashtëzakonshme historike për themelet e Bashkimit Europian.
Në reportazhin e publikuar në CNA.al, Fundo sjell për lexuesin një udhëtim personal dhe historik në ishullin ku, në vitin 1941, u hartua “Manifesti i Ventotenes”, dokumenti që vendosi bazat për një Europë të bashkuar dhe federale. Ishulli nuk ka vetëm rëndësi simbolike për Evropën, por për gazetarin merr edhe një dimension thellësisht personal: aty ishte internuar gjyshi i tij, Llazar Fundo, një figurë e njohur politike dhe intelektuale shqiptare.
Në këtë udhëtim përkujtimor dhe dokumentues, Elvi Fundo ishte i shoqëruar nga një grup personalitetesh të njohura nga fusha të ndryshme të jetës publike shqiptare: gazetari Blendi Fevziu, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH Fatjon Hoxhalli, si dhe skulptori Adi Dule. Prania e tyre e thelloi më tej vlerën e këtij udhëtimi, duke e kthyer në një akt reflektimi historik dhe identitar.
Reportazhi përshkruan atmosferën e Ventotenes, vizitat në burgjet ku mbaheshin të internuarit antifashistë, si dhe përjetimet emocionale që shoqëruan grupin, veçanërisht në vendet ku ndodhej dikur i burgosur Llazar Fundo. Një fakt pak i njohur që vihet në dukje është se në Ventotene kanë qenë të internuar mbi 100 shqiptarë, një kapitull i rëndësishëm dhe shpesh i harruar i historisë sonë moderne.
Pjesë e këtij vizioni për ruajtjen e kujtesës është edhe projekti për ngritjen e një busti të Llazar Fundos në Ventotene, i cili po realizohet nga Adi Dule, dhe që pritet të vendoset pikërisht aty ku Fundo mbajti fjalimin e tij të fundit përpara lirimit nga internimi.
Reportazhi i Elvi Fundos është një dëshmi e fuqishme e ndërthurjes mes historisë shqiptare dhe asaj europiane – një kujtesë se shqiptarët kanë qenë pjesë aktive e rezistencës antifashiste dhe kontributdhënës në idealet mbi të cilat u ndërtua Europa moderne.
Reportazhin e plotë mund ta lexoni këtu:
https://www.cna.al/kulture/reportazh-ne-ventotene-aty-ku-lindi-europa-i432968


