Afati për aplikimin në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 po shkon drejt fundit, ndërsa fermerët dhe blegtorët kanë në dispozicion edhe 5 ditë, deri më 30 maj, për të përfituar nga pagesat e drejtpërdrejta që ofrohen përmes 8 masave mbështetëse të kësaj skeme.
Në qarkun e Korçës, sipas të dhënave nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor (AREB), është vërejtur një interes i shtuar, veçanërisht për skemën e naftës, ku janë regjistruar rreth 9300 aplikime deri tani. Po ashtu, fermerët kanë aplikuar edhe për masat e tjera që lidhen me sektorin e blegtorisë, atë të bletarisë, etj.
Vullnet Gjolla, drejtor i AREB Korçë, u shpreh se procesi i aplikimit po vijon në mënyrë të qëndrueshme dhe bëri thirrje publike që fermerët të përfitojnë edhe nga ditët e mbetura, për të përmbyllur aplikimet e tyre në kohë dhe për të mos humbur mundësitë e financimit.
Skema Kombëtare synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe blegtorisë, përmes mbështetjes financiare për fermerët që plotësojnë kriteret. Aplikimet kryhen online në platformën e-Albania, me asistencë nga zyrat e AREB në çdo bashki.
Një nga pikat më të rëndësishme, edhe këtë vit është mundësia për aplikim në grup, me financim 100% për grupimet e fermerëve, si një nxitje për bashkëpunim dhe rritje të eficiencës në sektorin rural.


