Autoriteti për Informim mbi dokumente të ish-Sigurimit sot në ditën ndërkombëtare të Holokaustit ka lançuar për herë të parë në Korçë, Klubin e Librit, me moton “Të mësojmë nga e shkuara”.
Kryetarja, Gentjana Sula, ka kërkuar më shumë mbështetje financiare nga autoritetet për botimin e historive njerëzore të periudhës së komunizmit.
Sipas saj autorët e kanë të pamundur të botojnë me tirazh të madh këto histori. Gentjana Sula, Kryetare e AIDSh, tha se botimet për historitë e kësaj periudhe duhet të bëhen pjesë e teksteve shkollore, që brezi i ri të njihet më mirë me historinë e periudhës së komunizmit.
Në çeljen e klubit të librit në Korçë shkrimtari Marçel Hila ka paraqitur për të pranishmit romanin e tij Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit, një libër që na kthen në Luftën e Dytë Botërore duke treguar se si populli hebre është mikpritur dhe strehuar nga shqiptarët.