Një zbulim i jashtëzakonshëm arkeologjik në brigjet shqiptare të liqenit të Ohrit, në zonën e Buqezës, pritet të rishkruajë historinë e qytetërimit europian. Nëpërmjet një bashkëpunimi mes arkeologëve shqiptarë dhe atyre zviceranë, është identifikuar një vendbanim që daton ndërmjet viteve 8000 deri në 4000 p.e.s., duke u konsideruar si më i vjetri i dokumentuar në kontinentin europian.
Punimet arkeologjike janë pjesë e një projekti të Universitetit të Bernës në Zvicër, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri. Ambasadorja Ruth Huber, gjatë një vizite në sitin e Linit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vlerësoi përkushtimin e ekspertëve shqiptarë. Sipas saj, ky projekt jo vetëm që pasuron dijet historike, por ofron edhe potencial të madh për zhvillimin e turizmit kulturor.
Mes zbulimeve më të veçanta është struktura e një gardhi mbrojtës prej druri e ruajtur nën ujë, që dëshmon organizimin shoqëror të banorëve të hershëm. Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi bëri të ditur se faza e parë e kërkimeve është drejt përfundimit, ndërsa drejtuesi i ekipit zviceran, profesori Albert Hafner, e cilësoi zonën e Linit si një nga sitet arkeologjike më të mirëruajtura në Europë.
Zbulimet po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare, duke e kthyer Buqezën dhe Linin në pika kyçe për kërkimin shkencor dhe trashëgiminë kulturore.


