Një zbulim i pazakontë është bërë në Shpellën e Kopiles në Leskovik, aty ku disa muaj më parë një grup studiuesish çekë kishin identifikuar një liqen termik në brendësi të saj.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë një ekspedite të zhvilluar nga disa qytetarë shqiptarë, janë konstatuar fragmente kockore që dyshohet se janë njerëzore. Zbulimi është bërë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në një thellësi mbi 100 metra.
Menjëherë pas njoftimit, Policia e Korçës ka ngritur grupin hetimor dhe ka siguruar vendin e ngjarjes. Aktualisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqësor Korçë, po kryhen veprimet hetimore për të përcaktuar origjinën dhe përkatësinë e mbetjeve të gjetura.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e këtij zbulimi të rrallë në një prej mjediseve më të veçanta natyrore të juglindjes së vendit.


