Takimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit vijuan në lagjet 5 dhe 13 të qytetit të Korçës, ku drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun, Niko Peleshi, i konsideroi këto zgjedhje si historike për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Peleshi u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen rreth Partisë Socialiste dhe të votojnë numrin 5 për ta bërë realitet, siç u shpreh ai, “ëndrrën shekullore të shqiptarëve”.
Sinkron Peleshi:
“Këto nuk janë thjesht zgjedhje lokale apo politike. Këto janë zgjedhje historike që vendosin nëse Shqipëria do të ecë me ritëm drejt Bashkimit Europian. Dhe kjo rrugë ka vetëm një drejtim të qartë: numri 5, Partia Socialiste!”
Më tej, Peleshi reagoi edhe ndaj akuzave të kundërshtarëve politikë lidhur me pretendime për presione gjatë fushatës. Ai theksoi se filozofia e PS nuk është ndërtuar mbi frikën, por mbi besimin dhe rezultatet konkrete.
Sinkron Peleshi:
“Partia Socialiste nuk e ka fituar kurrë besimin e qytetarëve me presion. Ne e kemi fituar përmes punës, investimeve dhe transformimit të qyteteve si Korça, që sot është model zhvillimi.”


