Një natyrë që e ka qëndisur Zoti. Me njerëz mikpritës e bujar që të frymëzojnë. Fshati ku lindi muzika, tradita me kitarë e këngë vijon njësoj dhe sot edhe pse kanë mbetur pak njerëz.
Ziçishti është një fshat i vogël, në këmbë të malit të Moravës, që fushën e bukur me lumin e Devollit në mes, e ka shtruar përpara vetes si sofër të begatë. Njihet si fshati ku ka lindur serenata.
Dy janë vlerat më të mëdha të këtij vendbanimi të hershëm, personalitetet e shquara me dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare si:
- Peshkopi i Korçës(1937-1939) Evllogj Kurila dhe profesor i teologjisë në universitetin e Athinës,
- Koste Çekrezi ( 1892-1959) ; ambasadori i parë shqiptar në Washington (1919-1922) diplomat, historian, politikan dhe gazetar, figura e tretë madhore e shqiptarëve të Amerikës, pas Konicës dhe Nolit, dhe i katërti shqiptar që mbaroi Harvardin më 1918-ën.

Në Ziçisht ka pesë kisha, njëra më e bukur se tjetra.
Vlera me e madhe janë dhe vajzat e Ziçishti dhe gratë…
Bukuria e tyre, fisnikëria, sharmi dhe kënga e serenatës i ka bërë ato një nga pasuritë më të vyera të fshatit.
Nëse hyn nëpër portat e ziçishtarëve do të gjesh aty një kitarë të varur në mur, që pret. E vështirë që aty të gjesh një njeri që nuk i bie kitarës dhe nuk këndon serenata.
Natyrisht, bashkë me harenë e ushqimin tradicional që të shtrohet tryezës, ku nuk të vjen të ikësh më prej andej.
Nëse sheh gjithçka me vëmendje nëpër fshat do të kuptoni arsyet se e vetmja fuqi në këtë botë për të sjellë liri dhe kulturën e tolerancës për civilizimin e popullit është njeriu.



