Një zjarr masiv ka përfshirë zonën e Daiasit, pranë Lundrës në Tiranë, duke djegur sipërfaqe të mëdha me pemë dhe bimësi të dendur gjatë orëve të mbrëmjes.
Pavarësisht rënies së temperaturave gjatë natës, situata paraqitet tejet kritike në terren. Flakët kanë zgjeruar perimetrin e tyre me shpejtësi, të favorizuara nga erërat lokale dhe prania e madhe e bimësisë në këtë zonë, duke krijuar një situatë me rrezik të lartë për mjedisin rrethues.
Zgjerimi i perimetrit drejt pyjeve
Tymi i dendur ka mbuluar një pjesë të konsiderueshme të territorit përreth, duke vështirësuar pamjen dhe rënduar cilësinë e ajrit. Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive dhe po përparojnë me shpejtësi drejt zonave me pyje dhe pemëtari, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë izolimin e tyre.


