Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kërkuar ndëshkim të ashpër ligjor për autorët e zjarrvënieve, ndërsa ka shprehur mirënjohje të thellë për zjarrfikësit dhe efektivët e ushtrisë që po përballen me flakët në të gjithë vendin.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar nga vatrat e zjarrit gjatë ditëve të fundit, Kreu i Shtetit vlerësoi sakrificën e strukturave operacionale. “Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë. Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona. Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë,” shkruan ai.
Thirrja për ndëshkimin e zjarrvënësve
Kreu i shtetit u ndal në mënyrë të veçantë te personat përgjegjës për shkaktimin e këtyre emergjencave, duke theksuar nevojën për veprime konkrete nga drejtësia. “Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit,” deklaroi Begaj.
Në përfundim të mesazhit të tij, Presidenti u bëri apel qytetarëve për të rritur vigjilencën dhe për të treguar solidaritet në mbrojtje të mjedisit dhe pronës. “Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën. Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve,” përfundon reagimi i Presidentit të Republikës.


