Një zjarr ka përfshirë sot një sipërfaqe torfike në fushën e Maliqit, duke shkaktuar shqetësim për përhapjen e flakëve në tokat bujqësore përreth, të mbjella kryesisht me misër.
Burime nga vendngjarja raportojnë se ndërhyrja në kohë e forcave zjarrfikëse ka qenë vendimtare për izolimin e vatrës dhe parandalimin e dëmeve në kulturat bujqësore.
Përbërja torfike e tokës ka vështirësuar ndërhyrjen, pasi zjarri përhapet edhe nën sipërfaqe, duke mbajtur rrezikun aktiv më gjatë. Megjithatë, falë angazhimit të shpejtë të ekipeve në terren, situata është vënë nën kontroll dhe deri më tani nuk janë raportuar dëme të tjera materiale.
Autoritetet vendore kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar, duke paralajmëruar se kushtet e motit – temperaturat e larta dhe thatësira e zgjatur – kanë rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre në natyrë dhe në zona bujqësore.


