Pesë pushues nga Kosova kanë mbetur të lënduar me djegie dhe dëmtime fizike si pasojë e një zjarri që përfshiu hotelin ku ishin akomoduar në zonën e Lungomares në Vlorë gjatë natës së të shtunës duke u gdhirë e diela.
Gjendja shëndetësore e të lënduarve në spitalet e Tiranës
Të lënduarit po marrin trajtim të specializuar mjekësor në spitalet e kryeqytetit. Në Reanimacionin Qendror të Qendrës Spitalore Universitare po trajtohet një vajzë 25 vjeçe me 90% të trupit të djegur në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe një djalë me 30% djegie i cili është në gjendje të rëndë për shkak të gazrave të thithur nga tymi. Po në këtë spital, një tjetër vajzë 25-vjeçare me gati 30% djegie të gradës së dytë po merr mjekim në Shërbimin e Djegie-Plastikës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Rrethanat e ngjarjes në hotelin në Vlorë
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim mjekësor dy pacientë të tjerë, të cilët kanë pësuar dëmtime të shumta në tentativë për t’u larguar nga hoteli Brooklyn kur kanë konstatuar flakët dhe tymin. Pesë qytetarët nga Kosova kishin ardhur për të kaluar pushimet në bregdetin e Vlorës kur u përballën me ngjarjen e rëndë.


