Kastrioti ka siguruar shërbimet e Samuel Ajine Moses, mesfushorit 21-vjeçar nga Nigeria, i cili pas dy sezonesh në formë huazimi nga Skënderbeu, është tashmë zyrtarisht pjesë e krutanëve.
Moses, që ka qenë një nga pikat e forta të skuadrës gjatë qëndrimit të tij në Krujë, vjen si lojtar i lirë dhe ka nënshkruar marrëveshjen për të qenë pjesë e Kastriotit edhe për sezonet e ardhshme. Lajmi është konfirmuar prej vetë klubit dhe vetë futbollistit pak ditë më parë.
Stafi teknik, me në krye trajnerin Ramadan Ndreu, ka besim të plotë në potencialin dhe qëndrueshmërinë e Ajine, duke e parë atë si një element kyç në mesin e fushës për ndërtimin e skuadrës së re.
Në vijim priten edhe afrime të tjera cilësore, teksa Kastrioti synon një skuadër me pretendime të qarta për sezonin 2025-2026.


