“Banesa që shihni mbrapa meje është shtëpia ku ka jetuar poeti i madh lirik Lasgush Poradeci. Përpara 37 viteve ai do të largohej nga kjo jetë e sot, ai nuk nderohet me një shtëpi muze, ashtu siç është premtuar për dhjetëra vite nga Bashkia e Pogradecit”
Më 12 Nëntor 1987 Lasgushi do të mbyllte sytë përgjithmonë, duke lënë mbrapa një pasuri të madhe letrare për poezitë e letrat shqipe.
Poeti i madh pogradecar ende nuk ka një shtëpi muze, ku të vihen në pah për turistët e vizitorët vendi ku ka jetuar apo sende personale të tij.
Budjon Xhelo është njeri nga njerëzit që pati mundësinë ta njihte nga afër poetin, e sot e cilëson flagrante mungesën e një shtëpie muze.
“Është një turp i madh për gjithë qytetarët e Pogradecit por edhe me gjerë, ministrinë e kulturës që ende nuk kemi shtëpinë e poetit kombëtar Lasgush Poradeci. Është një mallkim komunist, kam 50 vite në këtë qytet, e kam njohur Lasgushi të gjallë, e kam nderuar të vdekur.
Duhet ndertuar shtëpia e Lasgushit, duhet rindërtuar nga themelet, jo si sot. E hapur për të gjithë, ku ka gjë më të mirë. Poeti që i këndoi atdhedashurisë është lënë pa shtëpi, ka më turp? “- tha Budjo Xhelo.
Për nënkryetarin e Bashkisë Pogradec, ky premtim pritet të jetësohet së shpejti, me investimet që do të marrin lagjet historike të këtij qyteti
“Nuk e quaj premtim të pambajtur, ka qenë një nga projektet që bashkia Pogradec ta bëjë e me pare. Ajo është godine private e dikujt tjetër, jo pronë publike apo e familjes së poetit. Në bashkëpunim me institutin e monumenteve është financuar projekti për rikonstruksionin e dy lagjeve.
Brenda këtij viti fillon puna për rehabilitimin. Edhe shtëpia e Lasgush Poradecit përfshihet. Në bashkëpunim me pronarët ekzistues do transformohet për turistët vendas e të huaj- tha Paskalino Ziko.
Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit nuk pati asnjë aktivitet në qytetin ku ai u lind u rrit e i shkroi deri në frymën e fundit.