Skena e Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec u mbush me të qeshura, emocione dhe duartrokitje falë shfaqjes “50 pa 1”, ideuar dhe interpretuar nga aktori, regjisori dhe libretisti i njohur Guri Koço.
Publiku pogradecar, së bashku me turistë vendas e të huaj, mirëpriti me entuziazëm këtë mozaik artistik që ndërthur humorin, poezinë, muzikën dhe historitë personale të artistit korçar, i cili këtë vit shënon plot 49 vite karrierë në skenën teatrore.
“50 pa 1” është pjesë e kalendarit të aktiviteteve kulturore të sezonit veror në Pogradec, një periudhë kur qyteti liqenor shndërrohet në një qendër të gjallë të jetës artistike në juglindje të vendit.
Artisti Guri Koço ka paralajmëruar se është në përgatitje të një tjetër shfaqjeje që do ta sjellë sërish në skenën pogradecare, duke e mbajtur gjallë lidhjen e tij të fortë me publikun e juglindjes.


