“Kisha vite që e mendoja dhe më në fund e solla në jetë” kështu shprehet mësuesi piktor Islam Bakollari për muralen që ka realizuar në shkollën 9-vjeçare në Dardhas të Pogradecit.
Një punë voluminoze disa ditore e cila është bërë me shumë pasion. Lamja siç e thërrasin të gjithë ka sjellë në këtë murale elemtët kombëtare e patriotikë të cilat lidhen ngushtësisht edhe me zonën e Gorës së Pogradecit. Në këtë murale e cila ka transformuar tërësisht pamjen e shkollës Lamja ka sjellë elementë si:
“Gurin e Kamjes” Monument Natyre një nga pikat më atraktive të zonës së Gorës dhe të një rëndësie të veçantë pasi pikërisht në këtë gur, Kajo Babjeni me çetën e tij ngritën në Korril të 1912-ës flamurin kombëtar duke shpallur mëvetësinë e zonës pikërisht 4 muaj para shpalljes së pavarësisë në Vlorë.
Kulla e Dërdushës një ndërtim karakterisik i zonës të cilat ruhen me fanatizëm edhe në ditët e sotme
“Urën e Niçës” Monument Kulture e cila përfaqëson trashëgimimë kulturore të vllehëve të zonës në Gorë
Dhe “Lisin e Gorarëve” poshtë të cilit gorarët mblidheshin dhe kuvendonin për veprimet dhe vendimet e tyre.
Në këtë Nëntor, kjo shkollë tashmë përfaqëson plotësisht zonën në të cilën bën pjesë, duke i treguar edhe brezit të ri disa prej elementëve kryesorë të zonës së tyre të cilat vazhdimisht ngjallin interes të lartë tek vizitorët e huaj dhe vendas.
Lamja është modest, nuk preferon ta quajë vepër këtë murale, por ajo është plotësisht një vepër e cila nxjerr në pah vlerat historike, kulturore dhe patriotike të zonës. Sigurisht këtu vlen të përshëndetet edhe mbështetja nga drejtuesit e shkollës apo edhe financuesi i projektit që është banor dhe biznesmen i zonës Ajet Hamolli.


