Baku, Azerbajxhan – Niko Peleshi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtuesi politik i qarkut Korçë, ishte pjesë e delegacionit të kryeministrit Rama në Azerbajxhan, ku Zëvendës Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënshkroi në emër të qeverisë shqiptare një marrëveshje të rëndësishme për zhvillimin energjetik të qytetit të Korçës.
Në këtë takim u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit, dhe kompanisë shtetërore të naftës të Azerbajxhanit, SOCAR. Ky memorandum synon zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit në Korçë, një projekt strategjik për qytetin, për të cilin janë përfunduar tashmë studimet paraprake.
Sipas Peleshit, pas përfundimit të kësaj faze, do të nisë puna për projektin e detajuar inxhinierik, duke vendosur bazat për një infrastrukturë më të qëndrueshme dhe efikase energjetike për qytetin.
Kjo marrëveshje me Azerbajxhanin vjen në vijim të nënshkrimit të një tjetër marrëveshjeje me Emiratet e Bashkuara Arabe për krijimin e një kompanie të përbashkët publike të energjisë, duke dëshmuar angazhimin e Shqipërisë për të diversifikuar burimet energjetike dhe për të përforcuar sektorin energjetik të vendit.


