Këtë muaj nëntori u mbushën plot 10 vite që është ndarë nga jeta qytetari korçar Klito Fundo. Një prej personazheve më emblematikë që Korça ka nxjerrë në aradhën e figurave të saj të njohura.
Mësues dikur baltrave të Gramshit, pasi do të vuante gjatë si nipi i Zai Fundos që rregjimi i Enver Hoxhës e damkosi si armik të popullit, Klitoja i këndonte si rrallëkush femrës e bukurisë së saj.
“Ç’më shikon ashtu moj bukuroshe e virgjër?
Sa pi ujë ti unë pi konjak,
Dhe në xhep mbaj vetëm një libër,
Rubairat e Kanalit plak!
Vitet e fundit Klitoja ftohej nëpër studio televizive si poet erootik, por krijimtaria e tij ishte më e larmishme. Si gazetar ka përshkruar me penën e tij figura të shumta historike, intelektuale dhe sportive të Korçës.
Poet dhe mik i poetëve. Gazetar dhe mik i gazetarëve. Qytetar korçar safi, sa i butë në shpirt aq edhe me ironi të hollë, shprehje kjo e intelektit të tij. Batutat dhe humori i improvizuar i Klito Fundos mbeten të pa përsëritshme.
“Mos na e ha mezen kështu sikur ke dalë nga greva e urisë” ngacmonte ndonjë tahmaqar ushqimi në kafene. Dhe aty për aty e zbuste reagimin e tjetrit me batutën e rradhës: Po ti keqkuptohesh keq o derbardhë!
Paksa bohem e qejfli muhabeti e shoqërie në kafenetë e Korçës, siç është natyra e një poeti të vërtetë, Klito Fundo shfaqi deri në fund të jetës shpirtin e gjerë artistik, qytetar e tolerant.
Nderim për lundërtarin e fjalës së ëmbël Klito Fundo!


