Pas barazimit me Tiranën, në Korçë nuk kanë kohë për të humbur. Ajo pikë shtëpie nuk ishte shumë pozitive për Skënderbeun, duke ditur pozicionin delikat në renditje. Korçarët kanë 7 ndeshje pa fitore, ndërkohë që përpara është transferta shumë e vështirë me Egnatian. Përgatitjet për këtë sfidë nisën me një analizë për të diskutuar gjithçka ndodhi ndaj Tiranës.
Ekipi ka studiuar takimin e fundit me video për të parë gabimet e bëra, ndërsa stafi teknik synon të ngrejë anën morale të futbollistëve. Burime të gazetës bëjnë me dije se gjatë analizës trajneri Gjoka ka kërkuar një ekip më të çliruar psikologjikisht për të dhënë maksimumin ndaj Egnatias. “Vijmë nga një barazim me Tiranën, që do ta gjykonim në dy aspekte.
Pjesa e parë nuk la shije të mirë, kurse në të dytën ndryshuam qasje. Duhet të heqim peshën e ngarkesës emocionale, të luajmë qetë dhe të shohim vetëm objektivat tona, pa menduar rezultatet e deritanishme. Le ta nisim ndeshjen e radhës nga pjesa e dytë me Tiranën dhe të mbajmë atë ritëm, duke shtuar agresivitetin dhe dëshirën për të dalë nga kjo situatë.
Do të jetë e domosdoshme që të gjithë të tregojnë potencialin e tyre për të mirën e ekipit”, mësohet të ketë thënë trajneri Gjoka para ekipit në analizë. Më pas ai vijoi me udhëzimet taktike për ndeshjen e radhës në Rrogozhinë, që luhet ditën e diel.
FORMACIONI – Kundër Egnatias duket se korçarët do të ndryshojnë diçka nga ekipi që u pa në fushë ndaj Tiranës. Kapiteni Prençi rikthehet për të zgjidhur problemet në mbrojtje. Pjesa tjetër e prapavijës do të plotësohet nga Doka, Zenullari dhe njëri mes Vaskez dhe Randit.
Në mesfushë do të luajnë nga minuta e parë Rabiu dhe Janaqi me Jurin disi më të avancuar. Në sulm Rashica dhe Çuçka do të mbështesin Bismark në majë.


