Në qytetin e Korçës u mbajt takimi i tretë i klubit të librit “Mësojmë nga e kaluara”, një aktivitet i organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
Tema e kësaj dite ishte “Ditari që erdhi nga e shkuara”, duke u përqendruar te struktura dhe ndikimi i ish-Sigurimit të Shtetit, një nga mekanizmat më të errët të diktaturës komuniste. Në qendër të diskutimit ishte dosja e survejimit të datës 4 tetor 1974, që përmbante shënime, poezi dhe mendime të një adoleshenteje 16-vjeçare, kolegia e Maqo Comos.
Pjesëmarrësit analizuan këtë dosje si një dëshmi autentike e jetës nën regjimin komunist, duke reflektuar mbi të drejtën e shprehjes dhe fuqinë e fjalës së shkruar, edhe në kohë të vështira.
Në takim u theksua rëndësia e rikthimit te librat dhe historia, për të nxjerrë mësime nga e kaluara. Po ashtu, u vlerësua puna e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe kontributi i specialistëve të tij në zbardhjen e së shkuarës.
Drejtoresha e AIDSSH-së, znj. Elona Baçi, u përmend me mirënjohje për mbështetjen e saj në realizimin e këtij aktiviteti.
Ky takim konfirmoi edhe një herë se historia duhet njohur dhe reflektuar, për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe të ndritur.


