Close Menu
KolibriKolibri
    Më të klikuarat

    Ambulanca e Korçës aksidentohet në Sovjan, plagoset një emigrant

    August 18, 2026

    Lejlekët ndërtojnë foletë mbi shtyllat e tensionit në Maliq

    August 18, 2026

    Vrasja e turistit francez në Ksamil, identifikohet i dyshuari

    August 18, 2026
    Facebook X (Twitter) Instagram
    KolibriKolibri
    • Kreu
    • Aktualitet
      • Politikë
      • Kronikë
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Bota
      • Kulturë
    • Korça +
      • Korçë
      • Pogradec
      • Devoll
      • Kolonjë
      • Maliq
      • Pustec
    • Opinion
    • Personazh
    • Showbiz
    • Sport
    KolibriKolibri

    Historia unike dhe e panjohur e 3 korçarëve që i mbijetuan katastrofës të Titanikut

    Korçë July 28, 2023
    Shpërndaje
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

    Kaloi mbi një shekull nga gjëma mbinjerëzore, që 100 vjet përpara, mori 1517 jetë njerëzish e, sot po merr gjithnjë e më shumë përmasa legjende.

    Fundosja e Titanikut që konstruktorët e WIHTE STAR LINE e quajtën të pafundosshëm, u fundos, u përmbyt i papërmbytshmi, por legjenda e tij, rri pezull e nuk përmbytet. Enigma e mbytjes në atë mesnate të errësirtë, mes 14 -15 prillit 1912, s’do të “flasë” kurrë. Ajo do të rrijë pezull e do të stërmundojë kokat e shumë studiuesve, shkencëtarëve, shkrimtarëve, gazetarëve, regjisorëve e do të vërtitet nëpër fundoqeanin, duke u ngurosur. Enigma do të mbetet një mister e do të jetojë nga pavdekësia.

    Desktop Promo
    Desktop Promo

    Ora e vdekjes e “Titanikut”, u bë dhe ora e lindjes së historisë tragjike të tij, legjenda e tij. Asnjë copë Titaniku, as i gjithi sikur të nxirret mbi tokë nga fund-oqeani, s’do të “flasë” kurrë, më shumë se ç’kanë folur të 700 të mbijetuarit. Më së shumti, ai do të jetë një muze psherëtimash, dhimbjesh e kureshtjesh, turistësh e vizitorësh.

    Në atë mesnatë tragjike, u dëgjuan edhe zëra shqiptarësh. Por askush, asnjë qeveri shqiptare, nuk pyeti për 100 vjet me radhë: Kishte a nuk kishte shqiptarë në Titanik. Interesim i ngrirë si lotët e “Lëndinës së Lotëve”!

    Karvanarët Tullga

    Në një faqe të njërit prej regjistrave të vjetër të Zyrës së Gjendjes Civile të qytetit të Korçës, gjendet trungu i familjes Tullga, mes të tjerëve edhe emrat e tre vëllezërve: Vangjelit, Kristaqit dhe Thanasit. Të bëjnë përshtypje të dhënat e hollësishme për secilin, gjuhët që flisnin, profesioni – karvanarë dhe së fundi: Larguar në kurbet në Amerikë, më 1912.

    Siç më tregon Vangjoja, i cili i ka hyrë studimit me hollësi të trungut familjar, e veçanërisht ngjarjes së Titanikut, e cila për dhjetë dekada me radhë, ka qenë prezente në familjen e fisin e tij, mbiemri Tullga, u kishte mbetur nga nofka “tullë”, (“tullkë” në dialektin korçar, (tullgë), sepse burrat e këtij fisi ishin tullacë.

    Ata banonin në Malavecin e Sipërm, mbi Dishnicë, fshat që nuk ekziston më, veç murishteve, që koha i ka rrafshuar e fshehur nëntokë. Burrat e këtij fisi, ushtronin profesionin e karvanarit, u shërbenin njerëzve me llandonë e karroca me kuaj, për t’i transportuar nga një vend në një tjetër, por edhe në Maqedoni, Greqi e Bullgari. Ishte koha kur Amerika, kishte ngjallur interes për gjithë botën, por edhe për shqiptarët.

    Edhe familja Tullga, vendosi të përcillte në Amerikë tre djemtë, Vangjelin (Gelan) 30 vjeç, Kristaqin (Kicen) 27 vjeç dhe Thanasin (Naskën) 25 vjeç. Të tre të martuar, të tre të fuqishëm, të mësuar me vështirësi e që u hanin duart për punë.

    Pasi nxorën “navllot” – (vizat), u nisën nga Korça, nga “Lëndina e Lotëve”, për në Greqi.Udhërrëfyes u bë Visari ose Viska, siç i thoshin me përkëdheli, i cili ishte fis i Tullgave e, jetonte në Athinë dhe merrej me udhë-rrëfime për mërgimtarë. Pasi kishin ndenjur disa ditë në Pire, i kishte përcjellë tre vëllezërit Tullga, me një vapor grek, për në Ingliterë. Fjalët kishin marrë dhenë, se do të nisej nga Anglia për në Amerikë, një “pamporr” shumë i madh, shumë luksoz, i paparë ndonjëherë, i ri fringo dhe shumë i sigurt. Krenaria e deteve, i thoshin.

    Tre vëllezërit Tullga, nuk mund ta humbitnin shansin për të udhëtuar me këtë gjigant. Familja, kur mori vesh se djemtë do të udhëtonin me të, u gëzua pamasë, se u sigurua që ata do të arrinin shëndoshë e mirë, sepse anija ishte e përmbytshme.Kaluan javë e muaj…! Familja Tullga, priste me ankth lajm për mbërritjen e djemve në Amerikë. Pritja u thye në makth, pasi lajmi i zi për mbytjen e Titanikut, kishte pushtuar edhe Shqipërinë.

    Në shtëpinë e Tullgave, vërtitej një si kob shqetësimi: “Kanë shpëtuar djemtë, vallë”?!

    Pas shumë kohësh, mbërriti një letër nga Bostoni. Zarfi nuk ishte rrethuar me shirita të zinj anash, çka do të thoshte se nuk sillte kob. E shkruante vëllai i madh, Gela. Pak a shumë, thoshte: Jemi gjallë. Shpëtuam me ndihmën e të madhit Zot. Kemi parë vdekjen me sy. Kemi zënë punë. Unë dhe Kicja, në një fabrikë emaljoje, Naska, ka hyrë berber në Boston. Mos u bëni merak për ne.

    Thanasi, kishte lënë në Shqipëri, gruan, Sofinë dhe një vajzë të vogël. I dërgojnë haber se vajza, nuk ishte mirë…! Ai diçka parandjeu dhe kthehet. Me mbërritjen e tij në shtëpi, rinisi kuja. I kishin vdekur edhe çupa edhe gruaja, Sofia, e cila ishte nga fisi i Beçkave, motra e Nasi Beçkës nga Çifligu. Dhembje mbi dhembje! Plagë mbi plagë. Kishte vdekur edhe nusja e vëllait të mesëm, Kristaqit, që kishte lënë një djalë…! nuk dinim se ç’bëhej lart, – tregonte Naska.

    Një përfaqësues i ekuipazhit u kishte dhënë lajmin fatal, që ua kishin përkthyen grekët. Anija për rreth 2 orë e gjysëm fundoset…! Kapideni Eduard Smith, urdhëron braktisjen e saj. Të shpëtojë kush të mundë…”!

    Tashmë, kapiteni i madh, Smith, komandonte mbytjen. Ishin ngjitur të tre në kuvertë. Lemerinë që kishin parë, nuk ka gojë ta tregojë as penë ta shkruaj. Skena të çuditshme, plot tmerr e rrëqethje.

    “Ishte si në një çmendinë, ku njerëzit nuk ishin të çmendur, por ua kalonin atyre” – kishte thënë Naska…!

    Vetëm muzikantët, u binin veglave më të qarë. Qanin veglat muzikore, qanin dhe muzikantët, tek përcillnin njerëzit dhe veten e tyre me muzikë, në botën tjetër! Një tmerr!

    Na kishte ikur zëri nga tmerri. Se është e bukur jeta, sidomos kur vdekja të sheh në sy e, ti nuk e afron, thoshte Naska. Na duhej të merrnim një vendim. Dhe e morëm. Të hidheshim të tre në ujë. Si të ishte shkruar nga Zoti. Sido që të jetë puna, duhet të ishim bashkë, pranë njëri-tjetrit, qoftë edhe në fund të oqeanit. Duhet të shpëtonim. Vendimi na jepte forcë e shpresë, për të jetuar. Po si? Pa një mjet lundrimi, në mes të oqeanit?! Pamë rrethe-qark. Tavolina të boshatisura që dridheshin, karrige që rrëshqisnin…! Kush mund të bëhej mjeti i shpëtimit?! E vendosën…! Hodhën tavolinën, pastaj morën nga një karrige… dhe u hodhëm “fiu” me to, drejt në ujë…!

    Ulërimat e lemeritë, sikur dilnin nga uji e ngjiteshin në qiell, si një lutje e mallkim. Duke notuar me karrige, iu afruan tavolinës, që kishin hedhur e rrinte mbi ujë. Vumë duart te ajo. Luftonim me vdekjen. Duhet t’i shpëtonim vdekjes. Por vdekja na ndiqte pas. Duhej guxim, trimëri, e fat”

    Ata e përzunë vdekjen, me guximin e moshës edhe të njerëzve të papërkulshëm. Befas, u zë syri një varkë të përmbysur që pluskonte mbi ujë. Sikur panë një fije dritë shpëtimi, të vogël. Iu vunë asaj, bashkë me disa të tjerë dhe e kthyen së mbari. Një varkë e përmbysur, përmbysi përsëri fatin dhe e ktheu drejt jetës. Ajo varkë, u bë shpëtimtarja e mbijetesës. E ngisnin me duar.

    Iknin që t’i shpëtonin thithjes së vorbullës që do të bënte anija, kur të fundosej plotësisht. Iknin tutje nëpër oqean, pa drejtim, iknin dhe e ftohta e madhe, para vdekjes së akullt, nuk ndihej. Pas 2 orë e 40 minutash, mali i pabesë prej akulli, e mundi malin prej hekuri…! Kaq kohë iu desh oqeanit, ta gëlltiste atë mal hekuri. Dhe, me që s’e gëlltiste dot menjëherë, e çau më dysh, pastaj, si lëshoi një hungërimë llahtari, sa u drodh oqeani, e përpiu dhe e çoi 2.787 m. thellë.

    Titaniku kishte “pirë”, brenda mushkërive të tij, 25 milion litra ujë. Dhe mbi të gjitha, aq njerëz sa nuk ishin mbytur kurrë. Ja pse thoshte Thanas Tuglla, se; “Titanikun” e mbyti qibra!

    Thanas Tullga, si sistemoi familjen edhe djalin e Kristaqit, pasi edhe atij i kishte vdekur e shoqja, mori përsëri udhën për në Amerikë. Më 1920-ën, u kthye përsëri në Korçë, u martua me Vangjelinë dhe nuk iku më. Vdiq në Korçë në vitet ’60-të, duke lënë pas fëmijë, nipër e mbesa dhe historinë e jashtëzakonshme të mbijetesës.

    Shumë e kishin pyetur: përse u mbyt Titaniku? Dhe ai me logjikën e njeriut të thjeshtë, e ironinë e korçarit, kishte thënë:

    “E mbyti qibra e fodullëku dhe humbja e toruas…! Mund të mos kishte vdekur asnjë, po t’i kishin dëgjuar sinjalet e kolegëve të anijeve të tjera, që i lajmëruan me shqetësim, të devijonin rrugën se kishte male me akuj. Mund të kishin vdekur shumë pak njerëz, s’kishte varka dhe ato që ishin, ikën pa u mbushur plot. Në këtë botë, nuk ka të pavdekshëm e të përmbytshëm”.

    Sot në Amerikë, jetojnë fëmijët e nipërit e mbesat e Kristaqit, njërit prej vëllezërve Tullga.

    Desktop Promo
    Mobile Promo
    djathtas slide
    Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Telegram Email
    Desktop Promo
    Mobile Promo

    Postime të ngjashme

    Ambulanca e Korçës aksidentohet në Sovjan, plagoset një emigrant

    August 18, 2026

    Lejlekët ndërtojnë foletë mbi shtyllat e tensionit në Maliq

    August 18, 2026

    Vrasja e turistit francez në Ksamil, identifikohet i dyshuari

    August 18, 2026
    Leave A Reply Cancel Reply

    Max Winery
    Eco Concept
    Mjalti Morava
    Minutë pas minute

    Ambulanca e Korçës aksidentohet në Sovjan, plagoset një emigrant

    August 18, 2026

    Lejlekët ndërtojnë foletë mbi shtyllat e tensionit në Maliq

    August 18, 2026

    Vrasja e turistit francez në Ksamil, identifikohet i dyshuari

    August 18, 2026

    Sali Berisha dhe sfidat e të majtës radikale në Shqipëri

    August 18, 2026

    Debati mbi fraksionet radikale në protestën e Tiranës

    August 18, 2026

    Sanksionet ndaj Iranit: SHBA paralajmëron masa të papara

    August 18, 2026
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Pinterest
    • Instagram
    • YouTube
    • Vimeo
    Kolibri

    Kolibri.al është një platformë dixhitale informimi dhe promovimi të njerëzve dhe territorit në rajonin e Korcës. Në kontakt të përditshëm me terrenin dhe lajmin, synojmë te sjellim të vërtetën me profesionalizëm dhe etikë.

    Facebook X (Twitter) Pinterest YouTube WhatsApp
    Kryesore

    Ambulanca e Korçës aksidentohet në Sovjan, plagoset një emigrant

    August 18, 2026

    Vrasja e turistit francez në Ksamil, identifikohet i dyshuari

    August 18, 2026

    Policia Kufitare shpëton dy persona në liqenin e Pogradecit

    August 17, 2026
    Më të klikuarat

    Pogradeci përkujton 40-vjetorin e vdekjes së notarit Agron Ruvina

    November 3, 2024

    Letra e kolonelit francez për liqenin e Ohrit

    August 14, 2023

    Braktisja e Drenovës: Fshati turistik në Korçë po mbetet pa banorë

    August 15, 2026
    © 2026 kolibri.al. Crafted by BeeTech Solutions
    • Kontakt
    • Politikat e privatësisë

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.