Për dy ditë me radhë, ekspertët e vlerësimit të jashtëm vizituan universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, në kuadër të procesit të akreditimit të disa prej programeve të studimit. Ekspertët zhvilluan vizita në mjediset e Rektoratit, Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe Fakultetit të Ekonomisë, ku patën takime të veçanta me pedagogë, studentë dhe staf ndihmësakademik.
Dr. Xhiliola Bixheku, Drejtore e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, tha se gjatë këtyre takimeve u morën të dhëna dhe informacione të rëndësishme që do të përfshihen në vlerësimin përfundimtar të programeve të studimit në proces akreditimi.
“Ky proces është një vlerë e shtuar jo vetëm për këtë institucion të arsimit të lartë, por edhe për diplomën që marrin studentët,” – theksoi Bixheku.
Aktualisht, universiteti “Fan S. Noli” është drejt finalizimit të akreditimit të të gjitha programeve të studimit që ofron, duke rritur kështu standardet akademike dhe cilësinë e diplomave të lëshuara.


