Policia greke ka gjetur një prej automjeteve që dyshohet se u përdor nga bashkëpunëtorët e të burgosurit 41-vjeçar nga Korça, i cili u arratis nga oborri i spitalit të Serres gjatë kohës që po transferohej për trajtim mjekësor.
Armë dhe gjurmë gjaku brenda automjetit të aksidentuar
Sipas informacioneve të raportuara nga televizioni publik grek ERT, mjeti dyshohet se u përfshi në një aksident gjatë arratisjes dhe përfundoi në një zonë me kallamishte. Në xhamin e përparmë të makinës janë konstatuar gjurmë gjaku, çka ngre dyshimet e hetuesve se njëri prej personave që ndodhej brenda ka marrë dëmtime në pjesën e kokës.
Brenda automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri të llojit kallashnikov dhe fishekë, krahas materialeve të tjera që pritet t’u nënshtrohen analizave shkencore për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.
Verifikimet për automjetin e dytë të djegur
Ndërkohë, një tjetër automjet është gjetur i djegur plotësisht në zonën e Vrasna, në komunën Volvi. Deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ky mjet ka lidhje me arratisjen, por autoritetet greke po hetojnë edhe këtë pistë.
I burgosuri shqiptar u ndihmua të largohej nga persona të armatosur, të cilët iu afruan rojeve në oborrin e spitalit me automjete të ngjashme me ato të policisë dhe i kërcënuan me kallashnikovë për të kryer lirimin e tij.


