Në një atmosferë të ngrohtë dhe përplot emocion, Qendra e Artit dhe Kulturës në Korçë mirëpriti mbrëmjen e djeshme promovimin e librit më të ri të autorit Thanas Dushku, me titullin poetik “Prologu i një dite të mallkuar”.
I njohur për publikun si një piktor që rrëfen përmes penelave, këtë herë Dushku vjen ndryshe, duke folur për jetën, kujtimet, humbjet dhe dashurinë, përmes fjalës së shkruar. Në këtë botim të parë, ai sjell 33 proza poetike që mbajnë gjurmët e shpirtit të tij krijues – një ndërthurje emocionesh që rrjedhin natyrshëm nëpër faqet e librit.
Autori rrëfeu se ky vëllim përfaqëson për të një udhëtim të brendshëm, ku temat që prekin lexuesin janë universale: jeta dhe vdekja, dhimbja dhe shpresa, e kaluara dhe e tashmja, të gjitha të thurura me ndjeshmëri të thellë.
Në fjalën e tij, redaktori i librit, profesori dhe studiuesi Neli Naço, vlerësoi eksperimentimin e autorit me forma të reja shprehjeje dhe theksoi stilin e tij të veçantë, që gërsheton letërsinë me elementë të artit pamor. Sipas tij, Dushku arrin të ndërtojë imazhe letrare po aq të fuqishme sa edhe veprat e tij në telajo.
Promovimi u pasurua me lexime të zgjedhura nga vetë autori, si dhe me interpretime muzikore në violinë, që krijuan një mjedis intim e të përshpirtshëm, ku fjala dhe muzika u bënë një.
Të pranishëm në këtë ngjarje kulturore ishin shkrimtarë, poetë, artistë dhe qytetarë të apasionuar pas letërsisë, të cilët përshëndetën ardhjen e këtij botimi si një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit të Korçës.


