Drejtuesi politik i Qarkut të Korçës, Niko Peleshi, zhvilloi sot një takim me banorët e Bitinckës në Devoll, ku ndau me ta vizionin dhe angazhimin e Partisë Socialiste për mandatin e ardhshëm.
Peleshi foli hapur për sfidat, përgjegjësitë dhe objektivat që Partia Socialiste ka vendosur për të çuar përpara projektet e nisura dhe për të forcuar rezultatet e deritanishme në qarkun e Korçës dhe në të gjithë vendin.
Në fjalën e tij, Peleshi theksoi se, pas 12 vitesh qeverisje, ky është një moment bilanci dhe se Partia Socialiste nuk do të ndalet në përpjekjen për t’u shërbyer qytetarëve me punë dhe rezultate konkrete.
*Sinkron Niko Peleshi:*
“Ky do të jetë një mandat me më shumë fuqi për qeverinë shqiptare. Pas 12 vitesh qeverisje, ky është një moment bilanci: nuk kemi luksin të premtojmë gjëra boshe. Ne jemi këtu për të dhënë llogari. Problemet nuk i shmangim, nuk i mbulojmë me fjalë, i shohim drejt në sy, i diskutojmë hapur dhe i pranojmë me përgjegjësi. Nëse rrugës kemi sjellë më shumë se ç’kishim në fillim, aq më mirë për Shqipërinë.”
Ai theksoi se Partia Socialiste i qëndron përballë qytetarëve, nga bilanci real i punëve të kryera dhe nga vendosmëria për të kapërcyer çdo sfidë, pa i fshehur as problemet, as vështirësitë.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Peleshi nënvizoi se mbështetja për Partinë Socialiste është thelbësore për të çuar përpara projektin ambicioz të “Shqipërisë 2030”, një vizion që synon një vend më të zhvilluar, më të drejtë dhe tërësisht të integruar në familjen europiane.


