Atmosferë festive dhe aromë gatimesh të shijshme mbushën ambientet e shkollës 9-vjeçare “Stavri Themeli” në Korçë, ku u organizua panairi ushqimor, një aktivitet që solli bashkë nxënës, prindër dhe mësues në një përvojë të veçantë komunitare.

Nxënësit e klasave të ndryshme prezantuan gatime të përgatitura prej tyre me kujdes dhe kreativitet, duke sjellë një ndërthurje të traditës me risinë dhe duke treguar aftësitë e tyre në fushën e kuzhinës, organizimit dhe punës në grup.

Drejtoresha e shkollës, Entela Gishto, vlerësoi aktivitetin si një nismë shumëplanëshe që i shërben zhvillimit të aftësive praktike të nxënësve dhe forcimit të lidhjes shkollë-komunitet. Sipas saj, përmes kësaj përvoje, fëmijët jo vetëm argëtohen, por edhe mësojnë duke u përfshirë aktivisht në një proces edukativ ndryshe.

Ky panair ushqimor, tashmë i kthyer në traditë për shkollën “Stavri Themeli”, u përjetua si një ditë e paharrueshme, ku shijet e mira u shoqëruan me vlera të rëndësishme edukative.



