Nata e dytë e festivalit “Korça Serenights”, që këtë vit shënon edicionin e tij të dytë, u mbajt pranë Liceut, në një nga lagjet historike të qytetit. E titulluar “Me këngë e kitarë, dashuri kërkonim”, mbrëmja solli emocione të forta për publikun që ndoqi nga afër performancat e Mimoza Paravelit, Ëndërr Serenatë Band dhe Vaske Niço, Jorgjeta Lalazit me bandin “Hani i Pazarit”, si dhe tingujt e Cofiel Band.
Këngëtarja korçare Mimoza Paraveli u shpreh se rikthimi në qytetin e saj për të kënduar serenatat është gjithmonë një emocion i veçantë. Edhe instrumentisti Kostika Zdruli theksoi se festivali ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës muzikore korçare.
Mbrëmja u kthye në një rrëfim dashurie nën dritat e qytetit, ku serenatat u shtrinë si poezi dhe kujtime të gjalla, duke prekur zemrat e çdo të pranishmi.


