Studentët e Departamentit të Marketing-Turizmit në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilluan një veprimtari në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Parqeve Kombëtare, me fokus në ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e të rinjve në mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.
Aktiviteti u zhvillua në Parkun Kombëtar të Prespës, një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në Shqipëri, ku studentët morën pjesë në trajnime për identifikimin e specieve, punë në terren në shtigjet e parkut dhe monitorim të biodiversitetit në zonën bregliqenore.

Përmes kësaj nisme, studentët përcollën mesazhin se edhe zonat e mbrojtura, si Parku i Prespës, përballen me kërcënime të shumta, përfshirë prerjet e paligjshme, ndotjen, ndryshimet klimatike dhe mungesën e ndërgjegjësimit publik.
Për të adresuar këto sfida, u lançua nisma “Patrulla e Biodiversitetit”, e cila i përfshin studentët në aktivitete konkrete në mbrojtje të mjedisit. Projekti u mbështet nga organizata “Me Gruaja”, Qendra ACEG dhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Korçë.
Studentët theksuan rëndësinë e përfshirjes së publikut në ruajtjen e natyrës, përmes vizitave në parqe kombëtare, rritjes së ndërgjegjësimit, adoptimit të praktikave të qëndrueshme dhe mbështetjes për përpjekjet e ruajtjes së biodiversitetit. Veprimtaria dëshmoi edhe një herë rolin aktiv që mund të luajnë të rinjtë në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.



