Në Galerinë e Arteve Digjitale në Korçë është çelur ekspozita imersive “Arti i Barabarti”, një përvojë unike multimediale e frymëzuar nga libri me të njëjtin titull. Në bashkëpunim me Bashkimin Europian, kjo ekspozitë sjell përmes teknologjisë mesazhe të forta për gjithëpërfshirjen, tolerancën dhe barazinë.
E konceptuar veçanërisht për fëmijët, ekspozita u transformua në një shfaqje interaktive ku arti dhe edukimi u ndërthurën në mënyrë kreative. “Arti i Barabarti” u bë kështu më shumë se një ekspozitë – një përvojë vizuale dhe emocionale që synon të edukojë brezin e ri me vlera njerëzore dhe qytetare.
Libri “Arti i Barabarti”, i shkruar nga Gentian Minga dhe përshtatur në gjuhën angleze nga shkrimtarja britanike Alice Taylor, është materiali bazë që frymëzoi këtë shfaqje artistike. Drejtori i Galerisë së Arteve Digjitale, Arbri Malile, tha se kjo është ekspozita e parë e këtij lloji që lind nga një libër për fëmijë, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të teknologjisë për të bërë librin më të aksesueshëm dhe tërheqës.
Fëmijët që morën pjesë në aktivitet patën mundësinë të përfshiheshin në këtë përvojë multimediale, duke kuptuar mesazhet thelbësore që përçon ekspozita: rëndësinë e të qenit të drejtë, tolerantë dhe gjithëpërfshirës.
“Arti i Barabarti” është një thirrje përmes artit që fton të gjithë të reflektojnë mbi vlerat themelore të shoqërisë dhe të edukojnë fëmijët si qytetarë të ndërgjegjshëm dhe empatikë në një botë më të barabartë.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 qershor dhe hyjra është falas për të gjithë fëmijët, për të përjetuar një ekperiencë ndryshe dhe të paharrueshme.


